Ministria e Financave lëshoi kritika të ashpra ndaj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për neglizhencën që ka treguar në raportimin e realizimit e treguesve financiar në 8- mujorin 2022.
Entet publike detyrohen me ligj të raportojnë në mënyrë periodike (çdo 3 muaj) treguesit financiar në Ministrinë e Financave dhe përformancën e realizimit të tyre. Shumica e dikastereve nuk e respektojnë këtë aspekt të ligjit qoftë me afatet e raportimit apo përmbajtjen e dokumenteve.
Ministritë dhe entet buxhetore shpesh dorëzojnë tek Ministria e Financave raporte formale që në thelb nuk tregojnë asgjë në lidhje me përformancen e përdorimit të fondeve, në një kohë që niveli i korrupsionit në përdorimin e fondeve publike në vendin tonë ka ardhur në rritje në dekadën e fundit (sipas indeksit të Transparency International)”.
Ministria e Financave vërejti mospërputhje midis të dhënave të paraqitura në anekset e raportit të monitorimit me të dhënat e raportuara në relacion.
“Të dhënat faktike të paraqitura në raport janë të ndryshme nga të dhënat faktike të siguruara në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë, në zërin e shpenzimeve kapitale nga financimi i huaj” vuri në dukje Ministria e Financave.
Sasia e produkteve nuk është plotësuar për të gjithë programet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe gjithashtu raporti nuk është bërë publik në faqen e dikasterit sipas ligjeve dhe udhëzimeve, komentoi me tej Ministria e Financave.
Edhe me herët Ministria e Financave ka kritikuar Ministrinë e Infrastrukturës për mungesë serioziteti në raportimet për realizimin e buxhetit.
Teksa kostot e investimeve publike sidomos në rrugë janë rritur vit pas viti, studimet e fisibilitetit mbi të cilat bëhen investimet mungojnë.
Ekspertët e sektorit rrugor kanë lëshuar akuza se shumë nga projektet e investimeve janë bërë pa studime të mirëfillta vitet e fundit./MONITOR