Dega e PD-së së Vaut të Dejës që drejtohet nga grupi Basha-Alibeaj ashtu si Elbasani dje, ka vendosur përmes Kryesisë së saj që të mbështesë plotësisht thirrjen e organeve drejtuese për të dalë me një kandidat unik në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023 duke shprehur mbështetjen maksimale për deputetin Zef Hila, që doli nga “Primaret”.
“Duke pasur në konsideratë deklaratën e kryetarit në detyrë z. Enkelejd Alibeaj që në këtë proces do të merren në konsideratë si kandidaturat e dala nga procesi i primareve të organizuara në vitin 2021, ashtu edhe procesi i primareve të organizuara në vitin 2022 nga Komisioni i Rithemelimit, konstatojmë se deputeti i zonës z. Zef Hila, është kandidatura e vetme që ka marrë mbështetjen me votë në të dy këto procese.
Në emër të PD Vau Dejës shprehim vullnetin tonë të plotë për të mbështetur z. Hila si kandidat unik të të gjithë demokratëve të Vau Dejësit për zgjedhjet vendore të 14 Majit. Për shkak të kontributit dhe mbështetjes së tij në zonë, jemi të bindur se z. Hila është një kandidaturë fituese.
Këtë propozim, Kryesia e PD Vau Dejës do t’ia përcjell me shkrim z. Enkelejd Alibeaj, znj. Jorida Tabaku dhe z. Gazment Bardhi, si përfaqësues të organeve drejtuese të PD-së. Mbetemi të bindur që vullneti i strukturave drejtuese të PD Vau Dejës do të respektohet, në funksion të fitores së bashkisë dhe bashkimit të demokratëve”, mbyllet deklarata.