24 orëshi që u mbyll dje ishte ndër më të përgjakshmit në Shqipëri, pasi u regjistruan 6 viktima dhe 5 të plagosur. Gjithçka filloi mbrëmjen e së enjtes me tre të rinjtë që vdiqën në Sauk.
Aksidenti u shënua rreth orës 18:00 në lindje të Unazës së Madhe të Tiranës, ku humbën jetën tre persona, shoferi 19-vjeçar Klevis Ruçaj, 23-vjeçarja Sikela Perroj dhe 22-vjeçarja Eisilda Abedini. Tre të rinjtë udhëtonin me një makinë Audi A8 me shpejtësi tepër të lartë, teksa shoferi humbi kontrollin e mjetit duke rënë nga rreth-rrotullimi i TEG-ut në autostradën Tiranë-Elbasan.
Tre viktimat e tjera u shënuan të premten. Mesditën e së premtes një çiklist u përplas për vdekje nga një mjet i rëndë në Durrës. Pa kaluar një orë një vajzë 30-vjeçare e identifikuar si Rovena Cara humbi kontrollin e mjetit në Kavajë, duke përfunduar në një kanal dhe duke marrë plagët që i shkaktuan vdekjen.
Në mbrëmje në aksin rrugor Korçë-Pogradec u shënua viktima e gjashtë sërish nga aksidentet. Gjithashtu dje në Shëngjin u lëndua një vajzë afgane pasi u përplas nga një makinë dhe një 60-vjeçar në Fier, shto edhe tre të plagosurit nga aksidenti i së enjtes në Sauk numri shkon në pesë brenda 24 orëve. Por kush është fajtori; shoferët, policia apo rrugët?