Ish-kryeminsitri, Sali Berisha ka prezantuar mbrëmjen e sotme kandidaten e tij për Bashkinë Korçë, Ledina Alolli.
Berisha tha se vendi është në kohë të vështirë dhe se ka nevojë për vendime të mençura. Ai tha se do të shkojnë në zgjedhjet e 14 majit, duke shtuar se këto zgjedhje tejkalojnë të gjithë zgjedhjet që janë bërë deri tani.
“Vendi, kombi, po kalon një disa momente të pashembullta në 32 vite, në kohëra të papara ndonjëherë më parë. Vendi ka nevojë më shumë se kurrë për vendimin tonë të mençura.
Sot shkojmë drejt fushatës së zgjedhjeve lokale, dhe kam nder të paraqes para jush kandidaten e PD për kryetare të Korçës, me bindjen se paraqes një figurë të nderuar. Sot unë theksoj se këto zgjedhje në bindjen time tejkalojnë të gjithë zgjedhjet që kemi bërë gjer sot pas atyre të 22 marsit të 1999.
Ajo çka unë njerëzisht do të kërkoja nga çdo korçar është të shtrojë pyetjen ‘kur ky vend ka qenë në një ritëm shpopullim këto 8 vite?’. Në 8 vite kemi 1/3 korçarë më pak se ç’kishim 8 vite më parë. Në 8 vite 1/3 jonë nuk ka njerëzit e dashur pranë.
Fatkeqësitë më të mëdha të njerëzimit kanë ardhur nga indiferenca ndaj të keqes. Sot, ky faktor duhet të zgjojë çdo shqiptarë, ky faktor duhet të shkundë çdo shqiptarë.
Pse do pakësohemi ne në këtë mënyrë që janë krijuar mundësitë që të begatohemi. Besoj se çdo shqiptar që e ndjen veten shqiptar dhe do këtë vend duhet të marrë vendimin dhe të kontribuojë për ndryshimin,” tha ai.