Në një artikull të botuar nga “La Repubblica” janë analizuar problematikat më të mëdha me të cilat përballet Ballkani.
Mes shteteve të tjera media italiane ka shkruar edhe për vendin tonë, ku thuhet se një problem shqetësues është emigrimi.
Në analizë trajtohet emigracioni nga vendet e Ballkanit drejt Europës, veçanërisht Gjermanisë, i ka dhënë një goditje të fortë qeverisë Rama, teksa citon shifrat për largimet e shqiptarëve nga vendi vitet e fundit.
“Sipas Kombeve të Bashkuara, vetëm Guajana ka një përqindje më të lartë të banorëve jashtë vendit sesa Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria. Emigrimi çoi në uljen e popullsisë në moshë pune të Ballkanit Perëndimor me mbi 400,000 banorë nga viti 2016 në 2020.
Popujt e Ballkanit të ndarë nga gjithçka, i bashkon dëshira për t’u larguar: qeveria e Beogradit ankohet se Serbia po humbet “një qytet në vit”, instituti statistikor vëzhgon me shqetësim se si popullsia ka rënë me 10 për qind në dhjetë vjet, në Bosnje Hercegovinë, Hulumtimi i Kombeve të Bashkuara zbulon se 72 për qind e të rinjve mendojnë se jetojnë në një vend “strukturalisht të korruptuar,” nga i cili pothuajse gjysma duan të largohen sa më shpejt të jetë e mundur.
Agjencia Eurofound ka hetuar mirëqenien ekonomike të punëtorëve evropianë: 5 për qind e danezëve e kanë të vështirë të përballojnë bukën e gojës, ndërsa në Shqipëri kjo shifër është 69 për qind.
Edhe pse kryeministri Edi Rama vazhdon të gëzojë mbështetjen e Bashkimit Europian, vetëm në pesë vitet e para të “mbretërimit” të tij 260 mijë shqiptarë emigruan në Europë. Dhe në vitin 2021 rifilloi fluksi me 42 mijë largime.
Media italiane raporton se për vendet e rajonit, dikur BE shihej si ilaçi për të gjitha sëmundjet, por se tashmë ky qëndrim nuk ka të njëjtin popullaritet.