Asociacioni i komunave me shumicë serbe, si një ndër pikat më kyçe të propozimit evropian, duhet që të jetë në tavolinë të diskutimeve edhe gjatë takimit të së shtunës mes Kurtit dhe Vuçiçit në Ohër.
Kështu ka deklaruar ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.
Hovenier tha se SHBA ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës që të ecet para me Asociacionin, pavarësisht aktivitetit të Beogradit. Ai mendon se Asociacioni është prioritet.
“Është e vështirë të rinegociohet diçka e cila ende nuk është negociuar. Andaj, ka ende hapësirë për të themeluar asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe në fakt mendojmë se është prioritet dhe kemi inkurajuar Qeverinë e Kosovës që të lëvizë para me këtë, pa marrë parasysh se çfarë bën apo nuk bën Beogradi,” deklaroi Hovenier.
Në takimin e 18 marsit në Ohër, Hovenier tha se pret që të diskutohet për këtë çështje, por vetëm në aspektin e të ecurit përpara dhe mënyrës se si; jo për të folur lidhur me strukturën e Asociacionit.
Kujtojmë se ShBA-të dhe BE-ja vazhdimisht kanë theksuar se është në dorën e Kosovës të vendosë për strukturën e tij.
“Besoj që çështja është se nuk do të ketë negociata të plota të cilat do të përcaktojnë funksionimin apo formën komplete të Asociacionit por shpresoj që në Ohër duhet të ketë mirëkuptim që kjo çështje të lëvizë përpara dhe mirëkuptim rreth asaj se si të lëvizë para,” tha ambasadori amerikan.