Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia menaxherin e kompanisë “Bana King” Marson Murataj. Ai u arrestua më shumë se një vit më parë pasi u gjetën 119 kg kokainë në kontejnerin e ngarkuar me banane.
Tani do të hetohet në gjendje të lirë edhe njëri nga shoferët e arrestuar të kompanisë “Bana King” Gëzim Kalaja, por jo shoferi i dytë Hasan Salihu, i vetmi në burg.
Por kur në prokurorinë e Tiranës zhvilloheshin hetime për rastin e parë të kapjes së kokainës, në muajin nëntor 2022 regjistrohet në Durrës një rast i dytë i trafikut të drogës, brenda kontejnerëve të kompanisë “Bana King”, u gjetën 33 kg kokainë.
Për këtë rast prokuroria e Durrësit urdhëroi arrestimin Petrit Demishaj, Alban Naziraj dhe shpalli në kërkim biznesmenin Trifon Murataj. Hetimet vazhdojnë, por edhe kompania “Bana King” vazhdon sikur të mos kishte ndodhur asgjë.