Vizita e kryeministrit Edi Rama në Britaninë e Madhe dhe takimi i tij me kryeministrin britanik, Rishi Sunak, është komentuar edhe nga opozita. Së fundmi, sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi nëpërmjet një postimi në facebook, akuzon kryeministrin Edi Rama si shkaktarin kryesor të shpopullimit të vendit. Ai tha se Rama duhet të ulte kokën dhe të kërkonte ndjesë ndaj prindërve të të rinjve që kanë kaluar kanalin ‘La Mansh; me gomone.
“Sot në Britaninë e Madhe, Edi Rama duhet të ulte kokën dhe t’u kërkonte ndjesë të gjithë të rinjve, që i detyroi të iknin dhe të rrezikonin jetën duke kaluar La Manshin me gomone. Sot ai duhet t’u kërkonte ndjesë prindërve, që me politikat e tij kundër të rinjve, i ndau nga fëmijët e tyre. Edi Rama dhe Qeveria e tij janë shkaktarët kryesorë të humbjes së perspektivës të të rinjve sepse nuk u ka krijuar asnjë mundësi reale për të jetuar në Shqipëri, për t’u punësuar dhe kualifikuar, për t’u ndjerë të sigurt dhe për të krijuar edhe familjet e reja këtu”-shkruan Blushi.
Mes të tjerash, ai tha se politikat e ndjekura nga qeveria janë shkaktarët për humbjen e shpresës së të rinjve dduke shtuar se shqiptarët mbajnë vendin e parë në botë për numrin e azilantëve të paligjshëm duke tejkaluar edhe vende që janë aktualisht në luftë dhe konflikte civile.
Vizita e Ramës në Britaninë e Madhe ditën e sotme është e para zyrtare e një kryeministri shqiptar. Ndërsa gjatë takimit me Sunak, u bë me dije se në fokus ka qenë tema e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë që mbërrijnë me gomone në Mbretërinë e Bashkuar si dhe forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe ekonomisë.