Me firmën e zv/ kryeministres Belinda Balluku, Edi Rama ka shkarkuar nga detyra kryetarin e bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, i cili u arrestua pak ditë më parë për korrupsion me tenderat. Në vendimin e qeverisë theksohet se Alla është shkarkuar për shkak të shkeljeve të rënda që ka kryer.
Alla bashkë me kupolën e bashkisë, n/kryetaren, sekretarin, anëtarët e vlerësimit të ofertave, etj akuzohen për një tender 3 milionë euro për ndërtimin e një ujësjellësi, të cilin kryetari i bashkisë ia dha një miku të tij. Arrestimin Alla e cilësoi politik.
V E N D I M PËR SHKARKIMIN NGA DETYRA TË KRYETARIT TË BASHKISË BULQIZË, Z. LEFTER ALLA
Në mbështetje të neneve 100 e 115, pika 1, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a”, të nenit 62, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Shkarkimin nga detyra, për shkak të shkeljeve të rënda, të kryetarit të Bashkisë Bulqizë, z. Lefter Alla.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.