Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se Kosova dhe Serbia mund ta rrezikojnë reputacionin e tyre ndërkombëtar, në rast se nuk fillojnë sa më shpejt zbatimin e marrëveshjes nga takimi i Ohrit.
I pyetur për shkeljen e marrëveshjes nga Serbia, Stano potencoi se besueshmëria e palëve është gjithashtu në rrezik, prandaj sipas tij në mënyrë që të shihen si një partner i besueshëm i BE-së duhet të zbatojnë atë që kanë premtuar.
“Reputacioni ndërkombëtar dhe besueshmëria e palëve është gjithashtu në rrezik këtu – në mënyrë që të shihen si një partner i besueshëm i BE-së, palët duhet të zbatojnë atë që kanë premtuar. Liderët evropianë në takimin e tyre në Bruksel këtë të enjte i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë shpejt dhe me mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga takimi i Ohrit.
Të dyja palët ranë dakord në Ohër që të fillojnë menjëherë zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes dhe Aneksit. Teksti i rënë dakord thotë qartë: “Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë aneks”.
Dispozitat e Marrëveshjes (përfshirë Aneksin) tani do të inkorporohen në Kapitullin 35 për Serbinë dhe në agjendën e Grupit Special për Normalizimin për Kosovën. Kjo do të thotë se palët do të jenë të detyruara kontraktualisht të zbatojnë dispozitat nëse dëshirojnë të bëjnë përparim drejt BE-së. Moszbatimi do të thotë të braktisësh rrugën drejt BE-së”, thuhet në përgjigjen e Stanos për mediat.
Po ashtu, Stano ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim, Institucionet e BE-së, do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit së bashku me të dyja palët.