Kryeministri Edi Rama ndryshe nga pak kohë më parë e pranon se ka shpopullim masiv. Gjatë një bisede në një fabrikë në Kamëz me disa punëtorë, Rama i kërkoi pronarit që të rrisë pagat pasi profesionistët po largohen.
“Kemi vende pune, por nuk kemi punëtorë. Kjo kërkon reagim dhe krah të shpejtë” tha ai. “Sindikatat në Shqipëri janë fantazma” vijoi më tej ai.
Kreu i qeverisë bëri një premtim para zgjedhjeve për rritje të të gjitha pagave pas asaj minimale. “Rritja e pagës minimale na detyron të rrisim edhe pagat e tjera. Po bëjmë një analizë dhe së shpejti do të bëjmë një plan për rritjen e pagave më tej” tha ai.
Në fund kishte një “kunj” për drejtësinë e re. “Gjyqtarët dhe prokurorët paguhen më shumë sesa ne që jemi këtu. Por është bërë për të mbështetur procesin që të kemi njerëz që duhet të zbatojnë atë që kemi në letër” tha ai.