Zemërimi global për luftën e Rusisë në Ukrainë, vitin e kaluar, vetëm sa i ka shpërfaqur “standardet e dyfishta” të Perëndimit ndaj abuzimeve në fushën e të drejtave të njeriut në botë, ka thënë organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Amnesty International.
Në raportin vjetor për vitin 2022, Amnesty është përqendruar tek ajo që e ka përshkruar si heshtje të Perëndimit ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite, shtypjes në Egjipt dhe trajtimit të palestinezëve në Izrael.
“Përgjigjja e Perëndimit ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, ka vënë në pah standardet e dyfishta, duke ekspozuar se sa të parëndësishme kanë qenë reagimet e këtyre vendeve për shkeljet tjera të Kartës së OKB-së”, ka thënë Sekretarja e Përgjithshme e Amnestyt, Agnes Callmard, teksa e ka prezantuar raportin vjetor në Paris.
Sulmet e Rusisë, që kanë nisur më 24 shkurt 2022, “na kanë ofruar një pamje të rrallë të asaj që është e mundshme kur ka vullnet politik” marrë parasysh mbështetjen e Perëndimit ndaj Ukrainës, ka shtuar ajo.