Benet Beci do të jetë kandidati i shumicës qeverisëse në zgjedhjet e 14 majit për bashkinë e Shkodrës.
Si asnjëherë më parë, në këto 32 vite, mundësia që bashkia e njohur si bastion i së djathtës, të qeveriset nga një përfaqësues i së majtës, është kaq e madhe dhe krejtësisht e realizueshme. Për më tepër, e mundshme, e domosdoshme dhe dëshmi e përzgjedhjes më të mirë politike dhe administrative.
Si dhe herë të tjera, e djathta, që qeverisi qytetin e njohur, ashtu si përgjithësisht ka drejtuar disa bashki të veriun e vendit, ka të njëjtin argument, sipas të cilit, e majta, në pushtet apo jo, asnjëherë nuk e ka dashur Veriun e Shqipërisë, e ka diskriminuar atë, e ka lënë pas dore, duke ngjallur fantazmën e ndarjes mes veriut dhe jugut, duke krijuar mitin e rremë të veriut nacionalist dhe jugut me prirjen drejt së majtës.
Është një ndër temat më të përfolura të politikës sonë: e majta socialiste dhe Shqipëria e Veriut: çfarë lidhjes ekzistojnë mes tyre, është ajo e sipërfaqshme, minore dhe përbuzëse apo reale, e duhur dhe në ato përmasa si në të gjithë vendin?
Ka e majta shqiptare një lloj alergjie politike ndaj banorëve të Veriut apo e gjithë kjo është një sajesë e ngritur mbi hiçin dhe e përdorur, edhe sot e kësaj dite si një alibi votash dhe e ndërtuar keqas, qoftë edhe jashtë Shqipërisë?
Ky binomi e majta, që do të thotë në mendimin e politikës së djathtë, jugu, është keqdashës ndaj veriut, ka përbuzje dhe ndjenjë izolimi ndaj saj, apo ngritja e kësaj fabule, mes së majtës dhe veriut të djathtë, është veçse një ngrehinë e rradhitur jo rastësisht në poligonin e ashpër të politikës djathtiste, që në fakt nuk është e tillë?
Ka lindur tani kjo ide apo është edhe më hershme se kaq dhe tani politika e ka ringritur në një piedestal politik të pashembullt, jo vetëm për hir të votave, por edhe të interesave të tjera, të cilat nuk dihet ende mirë se ku fillojnë e ku mbarojnë?
Teza e ndarjes së veriut dhe të jugut, jo vetëm si ndarje krahinore , por edhe mendësi jetese, politike, perceptimi e rishikim vlerash, është më e hershme se sa tani; ajo është ngritur gjithnjë në pragun e përplasjeve të mëdha politike dhe kanë shërbyer si ide e një fillese për një kacafytje të pashoqe, por që për fat, vetdija njerëzore , e ka shmangur edhe kur janë bërë përpjekje të mëdha për ta afruar.
Në vitin e largët 1924, në qershorin e këtij viti, pikërisht atëherë kur filloi revolucioni i njohur që solli në pushtet njërin nga eruditët më të shkëlqyer të kombit, Fan Nolin dhe një qeveri thellësisht demokrate, por e pa zonja për të përmbysur një klasë thellësisht konservatore, u ripërsërit ideja e pushtimit të veriut nga jugu i Shqipërisë, pikërisht se njëra nga lëvizjet e mëdha me armë kishte qenë Vlora. Me dashje u harrua se Rexhep Shala me njerëzit e tij antizogiste marshoi nga Shkodra dhe Bajram Curri nga Malësia e Gjakovës, si edhe Elez isufi nga krahina e Dibrës. U quajt si një lëvizje e jugut kundër veriut pasi shumë nga oratorët e mbledhur në Vlorë, në varrimin e Avni Rustemit, kishin qenë jugorë, por harrojnë se fjala më e zjarrtë është mbajtur nga Gjergj Fishta.
Po ashtu, “filozofët” e ndarjes veri – jug harrojnë se lëvizja e parë madhore antizogiste ka filluar pikërisht në Malësitë e thella të Veriut të Shqipërisë, në Dukagjin dhe priftërinjtë e parë të varur apo të pushkatuar janë nga ish mbreti i vetë shpallur, Ahmet Zogu.
Që në ditët e para pluraliste, përmes një politike perfide, po aq sa djallëzore dhe të rrezikshme, liderë të pëdëistëve, ringritën pikërisht këtë tezë, që më parë , fuqishëm, kishte qenë lansuar nga politika serbe: përdallimin ekzistencial mes Veriut dhe Jugut dhe pamundësinë për të jetuar sëbashku.
Me çdo mënyrë, qoftë edhe të përbindshme, u synua të ngrihet godina e ndarjes, një lloj muri politik, më i fuqishëm dhe më i rëndë se një mur betoni, mes jugut dhe të majtës shqiptare. Duke shfrytëzuar faktin që në veriun e vendit, shumë kohë më parë, lëvizja antifashiste nuk kishte qenë aq e fuqishme, sa edhe në jugun e vendit, çdo akt që kishte ndodhur ndaj jetës së njerëzve në veri, trajtohej si urrejtje patalogjike mes jugut socialist dhe veriut demokrat; mes jugut që kishte pasur pushtetin në komunizëm dhe veriut që, sipas tyre, kishte qenë disident; mes pushtetit të djeshëm të dhunshëm dhe lirisë, që mund t’ua sillte vetëm një forcë që kishte rrënjët e saj në veriun e Shqipërisë.
Njësimi i vendlindjes së disa drejtuesve të PD-së, sidomos Berisha dhe Hajdari, me vetë partinë e tyre, dhe, nga ana tjetër njësimi i vendlindjes së disa drejtuesve socialistë, si Ruçi apo Nano me vetë partinë e tyre, ishte një plagë kërcënuese që synonte të ringrihej.
Shpërthimin e saj e kishte në vitin 1997, kur me urdhër të presidentit të kohës, u bënë thirrje banorëve të veriut që të armatoseshin për të mposhtur jugun antidemokrat, krijimi i forcave rezervë, të armatosura dhe të injektuara keqas politikisht për luftë kundër jugut, çka për pak nuk solli një përplasje të madhe civile, çka ishte e dëshiruar jashtëzakonisht në dy shtetet fqinjë, në jug e në veri. Për më tepër që viti 1997 , si ishte pritur, do të ishte viti i fundit i heshtjes së Kosovës dhe fillimit të një epoke të re të lëvizjes çlirimtare të atjeshme.
Në fakt, me këtë mendësi politike, tani nuk ka e nuk mund të ketë më zona politikisht të pastërta. As Shkodra nuk është më e tillë; edhe aty, në zgjedhjet e fundit parlamentare penduli anoi nga e majta dhe kjo ndodhi edhe në Dibër, në Pukë, në Malësinë e Madhe, por jo në Kukës apo në Tropojë, dhe kjo është e drejta e tyre që të vendosin , ashtu si e mendojnë.
Por, a është e vërtetë se e majta socialiste ka alergji ndaj banorëve të veriut dhe se mbështetja e tyre ka qenë gjithnjë e dorës së dytë, qoftë si mendim, si mbështetje financiare dhe si politikë qytetare?
Unë e di se nuk ka qenë kështu. E di se e majta ka pasur kurdoherë dëshirën për të qenë pjesë e jetës politike në veriun e vendit dhe ia ka arritur këtë gjithnjë e më shumë. Viti i parë i përmbysjes, viti 1992, ishte një periudhë e shkurtër, kalimtare, më shumë si dënim i së djeshmes se sa shpresë për të nesërmen.
Si e ka trajtuar që në fillim struktura më e lartë e socialistëve veriun e vendit dhe çfarë u bë shkas për këtë shënim?
Rastësisht, duke parë gjërat e mia vetjake të të shkruarit, gjeta edhe një letër që mendimtari i shquar i kohës sonë, Moikom Zeqo, më dërgonte me 17 korrik 1997, nga Washington D.C.
Në atë kohë Moikomi ishte njëri në figurat më të spikatura të së majtës, përfaqësues i mendimi të jashtëzakonshëm erudit dhe , si pak kush tjetër, në veten e tij ai përmblidhte tiparet më të denja të qytetarit shqiptar.
Letra nuk më është dërguar për ta botuar, ndaj edhe ka qenë deri tani thjeshtë për mua: diçka e vyer, por e imja. Por, pikërisht kjo letër u bë shkak për shkrimin e sotëm në DITA, pasi, edhe në një letër miku dëshmohet se cila mendësi ka prirë mendimin socialist, përmes njerës nga figurat më të shquara të filozofisë së saj politike.
Po sjell një pjesë të shkurtër të saj:
“I dashur Bedri Islami,
Nuk e harroj kurrë mbasditen që kalova në shtëpinë tuaj në Shkodër para disa viteve. Figura juaj është rritur shumë për mua. Shkrimet tuaja i lexoj, madje me krenari se je miku im. Shkrimi i fundit për 2 prillin ishte esencial.
Djegja e Shkodrës qe djegie e Shqipërisë.
Shkodra, Shkodra, dashnorja e shekujve, është një qytet kult, një dashuri e pashlyeshme për mua!
Serbët e malazezët e rrëmbyen edhe trupin shqiptar të Rozafës për legjendat e tyre – këtu, në këtë grabitje është edhe rrënja historike shekullore e 2 prillit.
Pa u sqaruar dy prilli nuk mund të ketë histori të vërtetë të politikës së pavarur shqiptare.
Shkodra, Shkodra, kryeqyteti ilir i tragjedive, ankthi apokaliptik i Mesjetës, kryeqyteti letrar i Barletit, i Bogdanit, Migjenit dhe Gaspër palit dhe i heronjve të luftës.
Shkodra, Shkodra, përherë e tradhtuar – përherë e martirizuar – ashtu si qe Teba në tragjedinë e Eskilit ashtu është Shkodra për shqiptarët nga lakmitë e fqinjëve shovinistë.
Po ra Shkodra nuk ka më Shqipëri!
Heronjtë e Shkodrës janë më të shumtë se të Tebës!
Të përqafoj, Moikom”
Kjo ishte letra, e cila, e theksoj ishte mes miqve dhe i kërkoj ndjesë Moikomit që e bëj sot publike. E kush i ka thënë fjalë të tilla një qyteti kult si Shkodra, kryeqendra e Veriut? Pak kush!
Rikthimi i idesë së ravijëzimit mes një kufiri imagjinar , gegë e toskë, jug e veri, është aq e dëmshme, sa që edhe ta mendosh duhet të ndjesh turbullirën e shpirtit. Ndërsa ta bësh atë ide tënden, politikë tënden, tempull të rremë nga ku dalin edhe profetët e rremë, është pak të thuash se është tragjike.
Pas 14 majit, kur Benet Beci do të jetë pa dyshim qytetari i parë i Shkodrës, qyteti do e ndjejë më nga afër të vërtetën, dhe natyrisht do të jetë më i qetë në besimin e tij ndaj së majtës, që delegoi aty jo një socialist tipik, të përkushtuar ndaj forcës politike që përfaqëson, por bashkë qytetarin e tyre, që do të bëjë ndryshimin e madh.. DITA