Fati i qytetit Bakhmut në Ukrainën lindore mund të përcaktojë fatin e luftës me Rusinë – apo edhe negociatat për luftën, thekson presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Në një intervistë për Associated Press, lideri ukrainas u shpreh se vendi i tij duhet të fitojë betejën që po vazhdon prej muajsh në zonën më të gjerë të qytetit.
Nëse kjo nuk ndodh, shton ai, Rusia e Vladimir Putinit do të jetë në gjendje të sigurojë mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje që do ta detyrojë Ukrainën të bëjë lëshime që nuk mund t’i pranojë.
Putin sipas Zelensky “do t’ia shesë fitoren e tij Perëndimit, shoqërisë ruse, Kinës, Iranit. Nëse e nuhat se jemi të dobët, do të shtypë pa mëshirë”.
Ai shton se me një humbje në Bakhmut, presioni për një marrëveshje do të vijë edhe nga brenda shoqërisë ukrainase, e cila do të ndihet e lodhur dhe do të kërkojë zgjidhje.
Sa i përket vendit të tij, Zelensky thotë se lufta “ndryshoi shoqërinë tonë. Mund të na ndajë ose të na bashkojë. I jam shumë mirënjohës të gjithëve që gjetëm rrugën tonë në një moment kritik për kombin tonë”.