Mbytja e anijes Katër i Radës ishte ngjarja më tragjike e vitit ’97 të Shqipërisë, një kohë trazirash politike. Krizat e vitit 1997 u shfaqën në muajt e parë të vitit, kur falimentimi i disa bankave mashtruese la dhjetëramijëra qytetarë në varfëri të plotë. Protesta të dhunshme u shfaqën në jug, përfshirë qytetin bregdetar të Vlorës. Zona u la në duart e grupimeve kriminale. Mbi 2 mijë vetë vdiqën në vitin 1997 nga luftërat mes bandave apo nga përdorimi i gabuar i armëve.
Pasiguria shtyu një numër të lartë shqiptarësh të përpiqen të emigronin në Itali. Racizmi dhe frika se kriminelët fshiheshin mes migrantëve përforcoi kriminalizimin e shqiptarëve në Itali. Vetëm pak ditë para aksidentit, ish-presidentja e parlamentit të Italisë, Irene Pivetti, deklaroi se shqiptarët duhet të hidhen në det. Në mënyrë që të parandalohej vajtja e “kriminelëve” në Itali, Roma i ofroi Tiranës asistencë në bllokimin e gomoneve që udhëtonin pa autorizim. Sipas autoriteteve italiane, marrëveshja u firmos në shkëmbimin e notave mes dy ministrave të jashtëm më 25 mars.
Pasi u nis nga Vlora në orën 3 të pasdites, Katër i Radës u dallua nga anija italiane Zeffiro që u përpoq t’i ndryshonte drejtim. Anija vijoi drejt Italisë dhe u përball nga një anije më e madhe ushtarake, Sibilla, e cila ishte katër herë më e madhe se sa anija shqiptare. Sipas të mbijetuarve, anija e tyre po udhëtonte me flamur të bardhë. Pasagjerët i treguan italianëve se kishte fëmijë në bord. Gjithsesi, marina italiane ishte e vendosur që ta ndalonte anijen. Katër i Radës u godit dy herë, nga pas dhe në mes. Përplasja e mbushi anijen me ujë dhe e dërgoi në fund të detit. Rreth 34 persona mbijetuan duke u hedhur në det por shumica e pasagjervëe mbetën të bllokuar poshtë kuvertës.
Arratisje nga një qytet i pasigurt
Shumica e shqiptarëve në atë anije ishin nga Vlora, qyteti më i rrezikshëm në vend. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Arjan Starova i shprehu zhgënjimin e vet homologut të tij italian Lamberto Dini, duke i thënë se marina italiane përdori forcë të paligjshme. Protokollet që rregullonin marrëveshjen e 25 marsit u firmosën vetëm më vonë, më 2 prill. Anija italiane nuk ishhte e autorizuar që të ndërmerrte operacionin që provokoi aksidentin. Të mbijetuarit deklaruan se Sibilla sulmoi për t’i vrarë dhe se operacioni i shpëtimit ishte i ngadaltë.
Shefi i shtabit i marinës italiane, Angelo Mariani, deklaroi se aksidenti ishte rrjedhojë e një manovre të gabuar nga ana e anijes shqiptare, e cila drejtohej nga personel i pakualifikuar, të cilët e kishin vjedhur anijen. Umberto Vatani, nga Ministria e Jashtme e Italisë, tha se të mbijetuarit nuk mund të merreshin si dëshmitarë të besueshëm. Ministri i Mbrojtjes Andreatta tha se të mbijetuarit kanë humbur sensin e realitetit. Gazeta e majtë La Repubblica i shau më tutje shqiptarët duke i cilësuar ata “kafshë të plagosura” të “dëshpëruar.”/BIRN
Artikullin e plotë e gjeni këtu.