David J. Kostelancik, i emëruar nga Presidenti Biden për të shërbyer si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri në vendin e Yuri Kim, dje shpalosi para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin e Shteteve të Bashkuara përparësitë e tij si ambasador në Shqipëri nëse do të marrë miratimin final. Ai e vendosi theksin te drejtësia dhe të korruptuarit.
“Nëse konfirmohem në këtë detyrë do të bashkëpunoj me Shqipërinë për të forcuar institucionet demokratike dhe institucionet e drejtësisë. Presidenti Joe Biden e ka përcaktuar luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë të strategjisë sonë kombëtare.
Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor. Përparimi i reformës në drejtësi do të ndihmojë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit europian, theksoi ai.
Një nga sektorët e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, tha ambasadori i emëruar, do të jetë forcimi i mëtejshëm i partneritetit në mbrojtje.
Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë në vitin 2022, tha ai, tregoi nevojën për të për të investuar në infrastrukturë dhe trajnime për të ndërtuar një sistem kibernetik të qendrueshem.
Shtetet e Bashkuara, tha ai, kanë dërguar ekspertë në Shqipëri për të riparuar dëmet e bëra dhe kanë ofruar 50 milionë dollarë për këtë qëllim.
Një përparësi e tretë, theksoi ai, do të jetë forcimi i klimës së biznesit. Interesat e Shteteve të Bashkuara, tha ambasadori i pritshëm, shërbehen përmes një tregu transparent Shqipëri.
Zoti Kostelancik ka shërbyer në Shqipëri edhe më përpara në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e porsahapur amerikane në Tiranë. Para emërimit si ambasador, i shërbente si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneralit Mark Milley.