SPAK njoftoi sot se autoritetet maqedonase kanë arrestuar 4 të dyshuar për veprat penale të trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Të arrestuarit dyshohet se kanë bashkëpunuar me Nazif Ajroskin në tentativën për të trafikuar përmes Portit të Durrësit të sasisë prej 324 kg e 400 gram kokainë, e sekuestruar në datën 18.06.2021.
I pandehuri Nazif Ajroski është akuzuar për faktin e tentativës për të trafikuar nga Porti i Durrësit për në Itali të sasisë prej 324 kilogram e 400 gram lëndë narkotike të llojit kokainë, të paketuar në 300 (treqind) pako të mbështjella me natriban, lëndë narkotike e cila ishte vendosur në një hapësirës së përshtatur mbi serbatorin e një kamioni me targa të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili drejtohej nga i pandehuri.
I pandehuri Ajroski u dërgua për gjykim dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka deklaruar fajtor për akuzat e mësipërme dhe e ka dënuar me 8 (tetë) vjet burgim.