Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi është shtruar sërish në spital, por kësaj here ndodhet në kujdesin intensiv në një spital të Milanos. Lajmin e konfirmoi Reuters. Manjati miliarder i medias dhe katër herë kryeministër doli nga spitali vetëm javën e kaluar, ku u lajmërua se kreu një kontroll rutinë.
Berlusconi u shtrua për herë të fundit në San Raffaele pak më shumë se një vit më parë, në janar 2022, pasi një infeksion urinar i shkaktoi shtrimin e tij në spital. Një infeksion që – në atë rast – kishte qenë i rëndë, aq sa ndaj tij u desh të aplikoheshin terapi masive.
Në shtator 2020, Berlusconi doli pozitiv për virusin Sars-CoV-2 dhe zhvilloi simptoma të Covid-19; në qershor 2016 ai u operua në zemër për të zëvendësuar valvulën e aortës, dhe në vitin 2019 ai u operua për obstruksion intestinal.