Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh sot se në tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan më 4 prill, përmendet termi “të zhdukur me dhunë”.
“Formulimi i saktë në anglisht është ‘forcibly disappeared’, pra do të thotë ata që janë të zhdukur me dhunë dhe kështu është termi i cili është dakorduar dhe ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes. Pra edhe atëherë kur do të deklarohet, do të thuhet ‘persona të pagjetur’, ‘të zhdukur’, ‘që mungojnë’, gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukurit me dhunë”, tha ai.
Kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka konfirmuar të mërkurën se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, kanë arritur pajtueshmëri më 4 prill për deklaratën për persona të pagjetur, por nuk ka sqaruar nëse aty përmendet termi “të zhdukur me dhunë”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pas takimit në Bruksel me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, deklaroi se ky term nuk është pranuar nga pala serbe.
“Vetëm do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë”, tha ai.