Forcat Speciale RENEA kanë zhvilluar ditën e sotme një operacion blic në tregun Agro ushqimor të Elbasanit ku ka pasur edhe 4 të shoqëruar.
Tregu ku u kryen kontrollet është në pronësi të babait të Suel Çelës, Petrit Çelës. Suel Çela është prej kohësh në kërkim pasi akuzohet se ka porositur atentatin e dështuar të 29 marsit 2022 ndaj Elton Kilës.
Mësohet se ky operacion është zhvilluar pasi dyshohet se Suel Çela mund të jetë fshehur në objektin në pronësi të të atit.
Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit ai është porositës i tre ngjarjeve të tjera, 2 prej të cilave nuk u realizuan dhe 1 mbeti në tentativë.
Por për veç ngjarjeve të mësipërme Suel Çela ka tentuar të vrasë edhe një punonjës policie.
Tentativa e vrasjes së punonjësit të policisë ka ndodhur në shtator të vitit 2017. Patrullat e policisë kishin dalë për verifikim automjetesh dhe personash pas një kanosje të një qytetari.
Policia gjatë kohës që po merrej me rastin e denoncuar nga qytetari është vënë re një makinë tip “Audi” që po bënte manovra.
Makina ka tentuar të futet në tregun ushqimor dhe gjatë kësaj tentative prek makinën e policisë, e cila shtyhet disa metra më tutje.
Vendi është rrethuar nga forca policia të Ndërhyrjes së Shpejt dhe është bërë ndërhyrja dhe sekuestrimi i makinës dhe objekteve të gjetura aty.
Ndërkohë, sipas prokurorisë, në bordin e makinës “Audi” ka qenë Enea Bekteshi dhe Marjus Lulaj(Suel Çela), që tentuan të vrisnin punonjësit e policisë.
Më tej, Enea Bekteshi akuzohet edhe për trafikim narkotikësh, pasi gjatë arrestimit i është gjetur një sasi lënde narkotike.