Në 14 Prill do të nisë zyrtarisht fushata në Shqipëri për zgjedhjet lokale edhe pse në fakt realisht takimet elektorale kanë filluar shumë më përpara në çdo cep të vendit nga të gjitha palët. Por ndryshe nga herët e tjera, kjo fushatë vjen me disa aspekte ndryshe. Numri dy i PS-së, Damian Gjiknuri deklaroi sot se socialistët do të organizojnë mitingje të mëdha për të bërtitur nëpër sheshe. Ai foli për takime të vogla për të përçuar mesazhe konkrete.
“Ne kemi menduar që të mos bëjmë aktivitete në fillim, të mëdha, masive. Nuk duam të bërtasim, duam t’u tregojmë njerëzve çfarë dimë të bëjmë dhe çfarë është duke u bërë në Shqipëri. Kemi menduar një strategji tjetër. Javën tjetër do të fillojmë, do të synojmë aktivitete më të qeta, takime më të vogla, duke përçuar mesazhin e paqes dhe zhvillimit të Shqipërisë” tha ai.
Kjo strategji, edhe pse ende nuk është bërë e plotë publikisht me të gjitha detajet i ngjan fushatës së Sali Berishës në 2005 kur erdhi në pushtet me “Town Hall”-et e famshme, që asokohe ishin risi. “Town Hall” ose e shpjeguar më qartë fokusohet te bashkëbisedimi i drejtpërdrejtë me një grup qytetarësh, ose e thënë ndryshe në gjuhën e socialistëve “gju më gju me popullin”.
Kjo do të thotë se do të kalojmë nga mitingjet e mëdha nëpër sheshe, te “Town Hall”-et e mbyllura ose të hapura. Gjithashtu vendin e mesazheve populiste do të zënë propozimet konkrete. Por kjo nuk është dega e vetme e skemës së socialistëve. E ndërsa në terren do të jenë ballë për ballë duke dëgjuar njëri tjetrin, mitingjet i kanë spostuar në rrjetet sociale me “Aktivistin” dhe breshërinë e mesazheve që të dalin në çdo moment nga të gjitha anët.









