Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç pas një takimi me disa përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës ka deklaruar se pas shtatë ditësh do të dalë me konkluzionet e përbashkëta në lidhje me zgjedhjet në veri të Kosovës dhe të gjitha ngjarjet e ardhshme.
Vuçiç ka përsëritur se përfaqësuesit serbë nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e shpallura për 23 prill, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.
I pyetur për deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se zgjedhjet në veri do të mbahen dhe se ka plane për këtë, Vuçiç u shpreh se ata nuk kanë gjetur askënd që do të votojë.
Vuçiç tha se Qeveria e Kosovës shkelën çdo gjë rreth targave, çfarëdo që të propozojmë nuk do të pranojnë asgjë.
Presidenti i Serbisë nuk dha detaje nga takimi, duke thënë se konsultimet e radhës të ekipeve të Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve nga Kosova do të mbahen në Rashkë, në jug të Serbisë dhe më pas do të dalin me “platformë e përbashkët”.
Siç tha ai, platforma do të përfshijë masa të sigurisë, politike, ekonomike dhe sociale për popullatën serbe në Kosovë. Vuçiç nuk ka saktësuar se për çfarë masash bëhet fjalë.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat e veriut të Kosovës po mbahen pasi kryetarët e komunave, nga radhët e Listës Serbe, dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar në kuadër të daljes kolektive të serbëve të veriut të vendit nga institucionet e Kosovës.
Këtë e bënë për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës, i cili më vonë u pezullua, duke u bazuar në një marrëveshjeje me Serbinë në kuadër të dialogut.