Ish-kryeministri, Sali Berisha pasditen e sotme zhvilloi një takim me demokratët e Fier ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë, Evdar Kodheli.
Gjatë fjalës së tij Berisha denoncoi abuzimet e kryeministrit Edi Rama.
Ai akuzoi Ramën dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku se ndërtojnë rrugë anësore me 7.2 milionë euro kilometri, kur vetë autostrada është ndërtuar gjatë qeverisjes së PD me 2 mln euro.
“Këta vjedhin dhe vetëm vjedhin. Aksi Lekaj-Fier, rruga anësore, kushton për Ramën dhe Bllukun 7.2 mln euro, ndërsa autostrada 2 mln euro. Autostrada në fushë ndërtohet me 24 mln euro, kur në Gjermani kushton maksimumi 2 deri në 3 mln euro. Hajdutë si këta nuk i ka parë toka, këta nuk pyesin më për asgjë. Në 2013 nuk ishim të pasur, por varfëria ishte në pakësim, dhe ne ishim në ngjitje, dhe ishte shpresë aq sa po ktheheshin emigrantët nga jashtë” tha Berisha.