Euro e ka nisur edhe këtë javë me një rënie të lehtë në kursin e këmbimit me lekun.
Monedha europiane u këmbye sot me 112.82 lekë, në rënie me 0.01 pikë krahasuar me fundin e javës së kaluar. Megjithëse rënia e ditës së martë ishte në vetvete pothuajse e papërfillshme, ajo ka një domethënie për sa i takon rekordeve statistikore, sepse e çoi kursin e euros në një minimum të ri historik në kursin e këmbimit me lekun.
Rekordi i mëparshëm kishte qenë vlera e 112.83 lekë, e regjistruar në datat 28 dhjetor 2022 dhe 7 prill 2023.
Me hyrjen e tremujorit të dytë të vitit, euro po e thellon më tej rënien në kursin e këmbimit me lekun. Agjentët shprehen se tregu në vijimësi karakterizohet nga prurje të mëdha të euros dhe një kërkesë e ulët për monedhën europiane.
Deficiti i bilancit të llogarisë korrente vitin e kaluar u përmirësua, ndërkohë që të ardhurat nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja direkte shënuan vlerën më të lartë në të paktën 15 vitet e fundit. Duke shtuar edhe prurjet nga kanalet informale, kjo situatë ka rritur ndjeshëm ofertën e euros në tregun e brendshëm valutor. Kjo provohet në mënyrë të tërthortë edhe nga rritja e vazhdueshme e depozitave bankare në euro, që po vazhdon edhe në muajt e parë të vitit 2023.
Nga ana tjetër, natyra shtrënguese e politikës monetare dhe fiskale për vitin 2022 dhe muajt e parë të vitit 2023 teorikisht e mbështesin një mbiçmim të lekut në kursin e këmbimit me euron./ Monitor