Dëshmitarë të shumtë janë pyetur nëse ish-presidenti amerikan, Donald Trump u tregoi atyre një hartë që përmbante informacione të klasifikuara dhe e mori me vete kur u largua nga Shtëpia e Bardhë, sipas New York Times.
Nuk është e qartë se çfarë përshkruan kjo hartë, përtej “informacioneve sekrete”, shkruan gazeta, duke cituar katër burime me njohuri për rastin.
Trump po hetohet nga Departamenti i Drejtësisë në lidhje me trajtimin e dokumenteve të klasifikuara pasi ai largohet nga presidenca në vitin 2021. Hetimet fokusohen kryesisht në atë nëse ai mbante kuti me informacione të ndjeshme në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago, Florida.
Agjentët e FBI-së sekuestruan mijëra të dhëna qeveritare, disa të shënuara “tepër sekrete”, nga ajo shtëpi gushtin e kaluar. Hetimi është një nga dy që po kryhen për ish-presidentin nga këshilltari special Jack Smith.
Trump, i cili u padit në fund të marsit në rastin Stormy Daniels në Nju Jork, pohon se hetimet janë të motivuara politikisht.
Ditën e sotme u bë e ditur se ish-presidenti ka paditur ish-avokatin e tij, Michael Cohen, duke kërkuar më shumë se 500 milionë dollarë dëmshpërblim për çështjen për të cilën po ndiqet penalisht në Nju Jork.
Cohen kishte dëshmuar para një jurie të madhe në Manhattan, e cila më vonë e paditi Trumpin për 34 akuza për falsifikim të dokumenteve të biznesit.
Në padinë e tij, Trump akuzon Cohen për shkelje të privilegjit avokat-klient duke zbuluar informacione “konfidenciale” dhe “përhapjen e informacionit të rremë”.
Ishte Cohen ai që, para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, pagoi 130,000 dollarë për të blerë heshtjen e yllit porno Stormy Daniels, e cila pretendoi se kishte pasur marrëdhënie seksuale me Trump dhjetë vjet më parë.