Administrata publike po shijonte ditën e tretë të pushimit, të hënën e 10 prillit, si një zgjatim i festimeve për pashkët katolike, kur Arjan Metaj, 63 vjeç, u aksidentua ndërsa ngarkonte në një kamion traversa betoni për llogari të Hekurudhës Shqiptare.
E bija, Xhana Metaj, i tha BIRN se i ati kishte marrë urdhër për të dalë në punë mëngjesin e së hënës, edhe pse kjo nuk ishte e zakonshme.
“Normalisht kur janë pushimet zyrtare nuk ka shkuar në punë. Ky ishte një rast i çuditshëm, por ai iku sepse e kërkoi drejtori,” tha Metaj.
Arjan Metaj ishte një shofer veteran i mjeteve të tonazhit të rëndë dhe punonte prej 13 vitesh për shoqërinë Hekurudha Shqiptare. Sipas së bijës, ai u aksidentua pasi ngarkoi traversat në karroceri dhe u ngjit në kamion për ta siguruar ngarkesën me litar, por rrëshiti duke rënë nga lartësia.
“Babi ishte duke i vendosur litarin që mos të rrëshqisnin gjatë transportit dhe në kohën që ai ishte lart duke e lidhur, një nga traversat ka lëvizur dhe ai ka rrëshqitur, ka rënë nga lartësia 3-4 metra poshtë,” tha Xhana Metaj.
Metaj fillimisht u transportua me autoambulancë drejt Spitalit të Durrësit, por shpejt mjekët zbuluan se 63-vjeçari kishte marrë plagë të rënda dhe e dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Vajza e tij i tha BIRN se ai ishte në gjendje kritike dhe i paralizuar.
“Ka pësuar paralizë komplete, nuk lëviz fare, as duart, e kanë përcaktuar si tetraplegjik i shkallës së lartë,” rrëfeu e bija për BIRN.