Hungaria ka vendosur të largohet nga një bankë investimi të kontrolluar nga Rusia, duke tërhequr anëtarësinë një ditë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione ndaj këtij institucioni financiar me seli në Budapest.
Vendimi, i shpallur të enjten nga Ministria hungareze e Zhvillimit Ekonomik, erdhi pas vendimit të së mërkurës të Departamentit të Thesarit të SHBA-së për të vendosur sanksione ndaj Bankës Ndërkombëtare të Investimeve, e cila zhvendosi selinë e saj nga Moska në kryeqytetin e Hungarisë në vitin 2019.
Në një deklaratë të së enjtes, 13 prill, Ministria tha se “edhe pse Banka Ndërkombëtare e Investimeve ka luajtur një rol të rëndësishëm për zhvillim në Evropën Qendrore dhe Lindore, sanksionet e SHBA-së i kanë bërë të pakuptimta operacionet e bankës”.
“Prandaj, qeveria tërheq delegatët e qeverisë hungareze në Bankën Ndërkombëtare të Investimeve dhe tërhiqet nga institucioni financiar ndërkombëtar”, thuhet në atë deklaratë.
Pjesëmarrja e Hungarisë në këtë bankë dhe gatishmëria e qeverisë hungareze për të mbajtur selinë e saj në Budapest kishin zhgënjyer zyrtarët amerikanë në administratën e presidentit amerikan Joe Biden dhe ish-presidentit Donald Trump, të cilët argumentuan se ajo mund të shërbente si një kanal për spiunazhin rus brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Pas shpalljes së sanksioneve të SHBA-së të mërkurën, në një deklaratë të Departamentit amerikan të Thesarit thuhej se banka i mundëson Rusisë “ta rrisë praninë e saj të inteligjencës në Evropë, hap derën për aktivitetet e ndikimit keqdashës të Kremlinit në Evropën Qendrore dhe në Ballkanin Perëndimor dhe mund të shërbejë si një mekanizëm për korrupsion dhe financim të paligjshëm, përfshirë këtu shkelje të sanksioneve”.