Komisioni i Prokurimeve Publike bllokoi tenderin me vlerë 1.7 mln euro për studimin e fizibilitetit për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë me argumentin se autoriteti kontraktor nuk ka zbatuar ligjin për skualifikimin e njërit prej konkurrenteve.
Kjo erdhi pasi njëri nga operatorët kishte bërë ankimim. Konkretisht shoqëria “ILF Consulting Engineers Austria” GmbH & “Abkons” SHPK, që është një nga shtatë kompanitë që morën pjesë në procedurën me fond limit 200 milionë lekë.
Procedura e hapur në muajin tetor arriti të kalonte fazën e parë të vlerësimit të ofertave në dhjetor 2022 ku operatori ankimues u njoftua për skualifikim. Në këtë fazë të kualifikuar ishin vetëm dy kompani Tecnica y Proyectos” S.A, Yuksel Proje” A.S.
Një nga shkaqet e skualfiikimit të operatorit ankimues ka qenë i lidhur me dorëzimin e pasqyrave financiare dhe standardin e ndryshëm që aplikohet në Austri.
Në këto kushte Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të pranojë ankesën e paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “ILF Consulting Engineers Austria” GmbH & “Abkons” SHPK për procedurën e prokurimit “Shërbim Konsulence”. Linja hekurudhore Durrës-Prishtinë vlerësohet me një kosto të përafërt 700 milionë euro.