Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur në lidhje me kërkesën e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër policëve të arrestuar më 11 prill 2023, lidhur me plagosjen e një qytetari serb në veri të Kosovës.
Vendimi është marrë të enjten nga gjyqtari i procedurës paraprake i kësaj gjykate.
Ndaj të akuzuarit K.P. është caktuar masa e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, pasi i njëjti dyshohet për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “manipulimi me prova”.
Ndërsa ndaj tre të dyshuarit e tjerë me inicialet S.U., F.M. dhe M.M. është caktuar masa e arrestit shtëpiak në afat prej 30 ditësh për veprën penale “moslajmërim i veprës penale”.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) më 11 prill 2023 ka njoftuar se janë arrestuar katër zyrtarët policorë që dyshohet se janë përfshirë në plagosjen e një serbi në veri të Kosovës të hënën.
Fillimisht, Policia e Kosovës kishte hedhur poshtë raportimet se zyrtarë policorë të këtij institucioni e kanë sulmuar me armë zjarri një banor të komunitetit serb në veri. Por, më vonë Policia e kishte pranuar se katër policë ishin përfshirë në këtë rast.
Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla kishte thënë se kanë nisur hetimet derisa kishte përshkruar se rasti i plagosjes së M.J kishte ndodhur pasi ky i fundit nuk e kishte ndalur veturën dhe pastaj zyrtari policor kishte shtënë në drejtim të veturës.
Me vendim të prokurorit atyre iu ishte caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.