Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës për bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi thotë se shtyrja e zgjedhjeve për kryetarët e komunave veriore të banuara me shumicë serbe, nuk është një opsion i mirë.
Në intervistën për Zërin e Amerikës ai tha se shtyrja do të ishte në interes të atyre që mendojnë se veriu në këtë moment duhet të shndërrohet në një zonë të menaxhimit të krizave.
Zoti Bislimi tha ndër të tjera se Kosova dhe Serbia nuk po bien dakord mbi strukturën që duhet të ketë Komiteti i Përbashkët Monitorues për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, ngritja e të cilit, duhet të bëhet deri më 18 prill.
Sipas tij, Prishtina mendon se personat që udhëheqin grupin, duhet të jenë të ndryshëm nga kryenegociatorët, ndryshe nga qëndrimi i Beogradit. Ai tha se i emëruari i Kosovës për drejtimin e Komitetit është ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.
Zëri i Amerikës: Zoti Bislimi, aktualisht në vendin tuaj, janë shtuar thirrjet për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve për kryetarët e komunave veriore të banuara me shumicë serbe. Cili eshte mendimi juaj, a ekziston mundësia që këto zgjedhje të mbahen në rrethanat aktuale kur përfaqësuesit e subjektit kryesor politik serb nuk do të marrin pjesë siç u bë e qartë sot edhe nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç? Cila është rrugëdalja nga kjo situatë?