Policia e Korçës ka arrestuar 4 persona nga Kosova pasi transportonin kundrejt fitimit, me 2 automjete, 4 emigrantë të paligjshëm.
“Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për disa shtetas që do të transportonin kundrejt pagesës, emigrantë të paligjshëm, për të kaluar ilegalisht kufirin, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në Qafë Plloçë, bënë të mundur lokalizimin e automjetit tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin B. B. dhe pasagjere shtetasen F. Xh., si dhe 2 automjeteve të tjera tip “Audi Q5”, me drejtues shtetasit G. V. dhe I. A.
Sapo kanë konstatuar se ishin në ndjekje nga Policia, shtetasit I. A. dhe G. V. janë larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar. Për të shmangur përgjegjësinë ligjore, ata kanë zbritur nga automjetet e tyre 4 emigrantët të cilëve iu kishin premtuar transportimin drejt BE-së, kundrejt fitimit.
Shtetasi G. V., gjatë ndjekjes nga Policia, ka kryer manovra të rrezikshme me automjet, në rrugë, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë, por më pas është kapur dhe neutralizuar.
Nga hetimet e kryera, rezultoi se shtetasi B. B. dhe shtetasja F. Xh. qarkullonin me automjetin tip “Volkswagen”, përpara 2 automjeteve të tjera, me qëllim që të kontrollonin rrugën dhe të sinjalizonin shtetasit G. V. dhe I. A., për prezencë të shërbimeve të Policisë në rrugë. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit B. B. iu gjet një sasi e vogël e lëndës e dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjetet, 4 aparate celulare, një shumë parash dhe dokumentet e identifikimit të emigrantëve.”. njofton policia.