Sot është hapur zyrtarisht fushata dhe Partia Socialiste ende nuk ka paraqitur asnjë program, veç nismës për të mbjellë pemë dhe këngës tallava që do të shoqërojë takimet. Pika e fortë ku Edi Rama po mbështetet është rritja e pagave. Sot, kryeministri ka postuar në Facebook rritjen e pagave që do të pësojnë ushtarakët. Duke marrë shembullin e një nëntetari, si shkruan se nga 65100 lekë që e kishte rrogën vjet, nga ky muaj do të marrë 84369 Lekë dhe vitin tjetër rritja shkon në 94540 Lekë.
“Pagat e Ushtrisë Shqiptare ishin për një kohë të gjatë një arsye për t’u ndjerë keq për trupat e Forcave të Armatosura, por s’kishim asnjë rrugë tjetër përveçse të çonim përpara me këmbëngulje e durim ndryshimet e domosdoshme, pa të cilat pagat nuk mund të rriteshin siç duhej dhe siç e dëshironim të gjithë.
Tanimë kushtet kanë ndryshuar shumë dhe ushtarakët tanë nuk janë më të fundit e rajonit për nivelin e pagave të tyre, përkundrazi, ata kanë paga ndër më të lartat të cilat do të vazhdojmë t’i rrisim drejt mesatares së NATO-s” shkruan Rama.