Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona pasi mashtronin shtetas të huaj përmes telefonit, për të investuar në bursa fiktive.
Policia gjithashtu ka proceduar penalisht 1 shtetas tjetër, punonjës në subjektin call center.
Nga operacioni “Last Call” u sekuestruan njësi kompjuterike, USB, aparate celulare, blloqe me shënime me të dhënat e shtetasve të mashtruar, si dhe shuma të ndryshme monetare të përfituara nga mashtrimet.
Njoftimi i policisë
Si rezultat i këtij operacioni arrestuan në flagrancë shtetasit: 34-vjeçari me inicialet E. S., 23-vjeçari me inicialet F. Q. dhe 32-vjeçari me inicialet M. K.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. R., 33 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit E. S., F. Q. dhe E. R., ishin të punësuar në një subjekt call center dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi M. K., me anë të mashtrimit për përfitime monetare, iu kishte premtuar 2 të arrestuarve, se do t’i mbronte nga Policia. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: njësi kompjuterike, USB, aparate celulare, blloqe me shënime me të dhënat e shtetasve të mashtruar, si dhe shuma të ndryshme monetare të përfituara nga mashtrimet. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.