Shqiptarët pritet të votojnë për kryetarët e bashkive më 14 maj dhe për partitë politike që garojnë për këshilltarë, ku sistemi i zgjedhjes së anëtarëve të këshillave bashkiake është me lista të mbyllura të caktuara nga partitë. Sistemi, i cili favorizon kandidatët e renditur më sipër nga partia përkatëse, gjithsesi dukshëm ka tërhequr një pafundësi kandidatësh që garojnë në vendet humbëse.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të analizuara nga BIRN, të 40 partitë garuese kanë renditur në listat e veta 23,646 kandidatë për këshilltarë, gjë që sugjeron se afro 0.65% e votuesve në lista janë edhe vetë kandidatë. Por nëse marrim parasysh se një pjesë e popullsisë është në emigrim dhe se aktualisht vetëm gjysma e votuesve besohet se gjenden në Shqipëri, atëherë mund të themi se më shumë se 1 në 100 votues është kandidat.
Vendi me numrin më të lartë të kandidatëve për votues, sipas të dhënave të analizuara nga BIRN, është bashkia e vogël e Këlcyrës në qarkun e Gjirokastrës. Në zgjedhjet e 14 majit në këtë bashki ka 357 kandidatë për anëtarë të këshillit të bashkisë dhe tre kandidatë për kryetar. Bashkia numëron 9308 votues dhe rrjedhimisht në garë janë një kandidat për çdo 27 votues. Bashkia ka një këshill prej 15 anëtarësh.