Ish-kryeminstri, Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e sotme një takim me demokratët e Patosit ku prezantoi kandidaten e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë, Sofije Alushaj.
Gjatë fjalës së tij Berisha u shpreh se kandidatja Alushaj do të sigurojë ndryshime në bashki dhe se në epiqendër do të jenë qytetarët.
“Paraqes një zonjë të përkushtuar, dhembshur, të devothsme dhe të aftë, e cila ka vendosur me besimin tuaj, t’u shërbejë ju, të menaxhojë dhe të drejtojë këtë qytet me besimin tuaj.
Unë kam kënaqësi të madhe që sot paraqes këtu znj.Alushaj, sikandidate tuajën, të votuar dhe përzgjedhur nga ju në një proces demokratik të pashembullt më parë.
Sofija, siç e dini ju vjen nga Kosova, por ka një meritë shumë të madhe, ka zgjedhur Patosin si vendin më të bukur të ëndrrave të saj. Ju siguroj se do t’ju nderojë ju.
Ju siguroj se do të shënojë një ndryshim të madh në udhëheqjen, drejtimin, menaxhimin e kësaj bashkie. Do e shndërrojë atë në shtëpinë e parë të qytetarëve të Patosit. Do vendosë në epiqendër ju, qytetarët. Do të vendosë në epiqendër familjen,” u shpreh Berisha.