Në garë janë 40 subjekte politike. Tre milion e gjashtëqind mijë votues, që rezultojnë të regjistruar në listat e zgjedhësve, pritet të japin votën e tyre për këto subjekte. Si në ꞔdo proꞔes zgjedhor, qytetarët presin që rezultati i zgjedhjeve të shprehë vullnetin e tyre dhe ai të mos tjetërsohet. A i garanton këto pritshmëri legjislacioni zgjedhor?
Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, (KQZ), Ilirian Celibashi, në bisedë me DW, rreshton një sërë mekanizmash dhe garancish ligjore që mundësojnë një rezultat në përputhje me vullnetin e zgjedhësve, të shprehur me votën e tyre. “Qëllimi kryesor i zgjedhjeve është të sigurojë një përfaqësim të saktë të vullnetit të popullit, një proces të lirë, të ndershëm dhe transparent.
Pavarësia e KQZ, monitorimi i procesit zgjedhor nga misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, mbrojtja e votës së qytetarëve përmes votimit dhe numërimi transparent dhe i saktë janë ndër mekanizmat dhe garancitë kryesore ligjore.
Është e rëndësishme gjithashtu që partitë politike në garë, kandidatët e tyre për organet e pushtetit lokal, të jenë të përkushtuar ndaj ligjeve, rregullave zgjedhore, të kenë qasje të barabartë dhe të ndershme ndaj mediave dhe financimit të fushatës zgjedhore,” thotë Ilirian Celibashi për DW.