Mëngjesin e sotëm zona e “Freskut” në Tiranë u zgjua e tronditur pas tritolit në shtëpinë e babait të Leonard Dukës, një emër i njohur i botës së krimit, drejtues i klanit “Duka”.
E ndërsa i ati njihet si njeri i qetë dhe pa probleme, pista kryesore dhe e vetme lidhet me aktivitetin kriminal të djalit. Po ku ndodhet ai? Arratia e Leonard Dukës mori fund në 14 Shkurt të këtij viti në Belgjikë, ku u prangos në gjumë në një operacion blic.
Kreu i klanit ‘Duka’, një ndër autorët e dyshuar si të përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të vitit 2019 u arrestua në një provincë të Brukselit në Belgjikë.
37-vjeçari, i shumëkërkuar ndërkombëtarisht, për krime kundër personit dhe për armëmbajtës pa leje, është arrestuar, teksa fshihej në një banesë private në një provincë të Brukselit, vendndodhja e të cilit u zbulua nga Fast Albania, që informuan më pas Fast Belgjikën.
Leonard Duka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi GJKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Leonard Duka dyshohet se është një nga autorët e vrasjes së Santiago Malkos, ushtarit të Ervis Martinajt,të ndodhur në gusht të viti 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë. Interpol Tirana po vijon punën për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Leonard Duka njihet si një kundërshtar i betuar i Ervis Martinajt, megjithëse më parë kishin qenë miq dhe ortakë në biznesin e lojërave të fatit, më pas patën përplasje të ashpra pikërisht për këtë aktivitet. Leonard Duka aktualisht është në gjyq në mungesë për vrasjen e Malkos.
Tritoli në banesën e babait të Leonard Dukës, fqinjët: Kemi frikë për jetën