Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha të shtunën se ka bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e së dielës në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe ku do të votohet për kryetarët e katër komunave.
Ky komision tashmë ka vendosur kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri ku gjithsej do të ketë 19 qendra votimi, ndërsa policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat për krijimin e një mjedisi të sigurt për procesin zgjedhor
Postet e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës mbetën bosh në nëntor të vitit të kaluar kur përfaqësuesit serbë në zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, mes tensioneve për shkak të mospajtimeve ndaj një vendimi të qeverisë në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.
Lista Serbe subjekti kryesor i serbëve të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve serb për bojkot të përgjithshëm të këtyre zgjedhjeve të cilat i ka quajtur “jodemokratike të organizuara nga Albin Kurti”. Kjo listë tha se serbët duhet të “shikojnë me përbuzje të gjithë ata që planifikojnë të dalin dhe të marrin pjesë në këtë proces të paligjshëm dhe që është kundër interesave të popullit serb”.