Hasmi nuk ta fal gjakun. Edhe pse kishin kaluar disa vite plani për gjakmarrje nga fisi Lekstakaj ishte në tryezë dhe për ta vendosur në zbatim në “lojë” u fut nipi, Edmond Haxhia, bazuar te provat e siguruara nga policia shqiptare.
Në terren për t’u zbatuar plani ka zgjatur rreth tre muaj, referuar kohës që portugezi Ruben Saraiva erdhi në 2 Shkurt në Rinas dhe u nis për në Lezhë me fokus Shëngjinin, baza e biznesmenit që ishte në shënjestër Ardian Nikulaj.
Por vrasësi nuk ishte investimi i vetëm. Skuadra duhet të kishte edhe informatorë për të kontrolluar lëvizjet e objektivit. Për të shmangur vëmendjen dhe dekonspirimet e mundshme, organizatori zgjodhi sërish të huaj, katër britanikë, mes tyre një kriminel të regjur.
Anglezët nën kamuflimin e turistit kanë hyrë dhe kanë dalë nga Shqipëria për të shmangur dyshimet. Baza logjistike është një tjetër pikë e rëndësishme. Motori, qëndrimi në hotel për tre muaj, makinat e marra me qira, veshjet, arma dhe gjithçka tjetër.
Por mbi të gjitha, pagesa që ka marrë vrasësi për punën që bëri dhe katër spiunët. Gjithçka flet për një faturë qindra mijëra Euro dhe të mendosh që gjakmarrja nisi për një sherr për 100 mijë lekë dhe deri tani ka lënë pesë të vdekur nga të dyja fiset.
Gabimet që zbardhën vrasjen;
Hyrja në mënyrë të rregullt në Shqipëri
Lëvizjet për kontrollin e objektivit u fiksuan nga kamerat
Përdorimi i shpeshtë i telefonave
Blerja e motorit në Shkodër
Biseda në gjuhë të huaj me punonjësin e karburantit
Veshja që u gjet në një banesë në Gjadër
Dokumenti i identifikimit dhe telefoni
Në kërkim nga policia dhe skema e vrasjes së Ardian Nikulajt;
Edmond Haxhia, shqiptaro-britanik (porositësi dhe financuesi i atentatit)
Ruben Saraiva (ekzekutori portugez)
Harry Simson, britanik
Harriet Bridgeman, britanike
Thomas Mithan, britanik
Steven Hunt, britanik (shfaqet në kamerat e sigurisë teksa vëzhgon lëvizjet e Nikulajt)