Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak deklaroi se është e rëndësishme që sa më shpejt të fillohet me përcaktimin e statusit dhe kompetencave të Asosacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një intervistë për gazetën sllovake “Denik”, Lajçak tha se Asociacionin e sheh si një mundësi për të sqaruar marrëdhëniet ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe serbëve që jetojnë në veri.
“Qëllimi është përcaktimi i statusit ligjor të serbëve të Kosovës. Ne e shohim këtë si një mundësi për të qartësuar disi marrëdhëniet ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës, por edhe për të përcaktuar rolin e Serbisë në mbështetjen e serbëve në Kosovë.Për mua është e rëndësishme që më në fund të fillojmë të përcaktojmë se çfarë do të thotë Komuniteti, cili do të jetë statusi i tij, cilat do të jenë kompetencat e tij. Ne do t’i përmbahemi modeleve ekzistuese evropiane”, theksoi ai.
Lajçak, ndonëse thotë se nuk do të kthehet më në të kaluarën, u shpreh se Kosova nuk e ka zbatuar marrëveshjen e vitit 2013 për krijimin e Asociacionit.