Presidenti i Republikës, Bajram Begaj për pak muaj mbush vitin e parë në krye të shtetit. Nuk ka pasur surpriza për kurse përplasje me qeverinë.
Po ndodh ajo që kishte paralajmëruar vetë ai që e zgjodhi, Edi Rama një vit më parë. Një President ndryshe që nuk i “çanë kokën” duke i kthyer ligjet apo “shitur” dekorata, një profil i ulët publik.
Deri tani Presidenti në media ka qenë kryefjalë vetëm për shkarkimet masive që bëri vitin e kaluar. Operacioni “fshesa” nxori nga selia e kreut të shtetit mbi një 20 të punësuar, mes tyre dhe njerëz që kishin mbi dy dekada në atë institucion.
Por çfarë ndodhi më pas? Kush u punësua? Kush janë njerëzit që këshillojnë Presidentin e Republikës së Shqipërisë? “5Pyetjet.al” bëri një vëzhgim të thjeshtë në faqen e Presidencës.
“Printscreen” i bërë sot faqes së Presidencës
Në momentin që klikon te kategoria e “Kabinetit” dhe kërkon të njihesh me këshilltarët përgjigja që merr është “faqja është në ndërtim”. E njëjta gjë edhe për administratën e institucionit. Fantazmë.
Çudia që ngjall dyshime është fakti që të gjitha kategoritë e tjera, nga dekretet, dekorimet, shtetësia, etj bashkë me fjalimet janë transparente, por kur vjen puna te stafi i tij, njerëzit që ka zgjedhur për ta këshilluar, faqja ka probleme dhe vazhdon që të jetë në ndërtim prej kohësh.
A po i fsheh Presidenti njerëzit e administratës që u ka besuar? Çfarë e pengon që të publikojë emrat, ashtu sikur ka bërë paraardhësi i tij dhe të tjerët?