Policia e Tiranës ka arrestuar 4 persona për vepra të ndryshme penale. Në njoftimin e policisë bëhet me dije se D. V 48 vjeç, banues në Tiranë u arrestua pasi ka vjedhur disa produkte, në një market.
Ndërkohë I. P., 30 vjeç, i pastrehë u arrestua pasi ka tentuar t’i vjedhë aparatin celular, një shtetasi, te sheshi “Skënderbej”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vorë arrestuan shtetasin Q. B., 70 vjeç, banues në Breg Shkozë, Prezë, pasi ditën e djeshme, ka goditur me mjet prerës (sëpatë), bashkëshorten e tij, shtetasen V. B., e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin E. T., 60 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, është përplasur me dy automjete të tjera, me pasojë vetëm dëme materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vorë kanë referuar materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Q. K., banues në Prezë, Vorë, pasi gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë i gjetën një armë zjarri pushkë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.