Seanca e radhës për vrasjen e ish-policit Santiago Malko ka qenë mjaft e tensionuar në Gjykatën e Posaçme. Shkak është bërë një ekspertizë e paraqitur nga vëllezërit dhe avokati që mbron klanin Duka që akuzohet se ekzekutoi “ushtarin” e Ervis Martinajt.
Avokatët i dorëzuan gjykatës një ekspertizë private, ku pretendojnë që materialet e përcaktuara nga hetimet e SPAK, nuk çojnë në identifikimin e llojit të makinës, të targës apo të personave që ndodheshin brenda mjetit.
Prokurori Behar Dibra kërkoi që të rrëzohet kërkesa. Dhe gjykata e pranoi. Motra e Malkos reagoi ashpër duke kërkuar drejtësinë për të vëllanë.
“Po më detyroni të lë jetim edhe fëmijët e mi, siç i ka lënë vëllai im, nuk mund të bëhen hetime private” tha ajo. Ngritja e zërit dhe tensionet detyruan gjykatën që t’i largojë nga seanca, motrën dhe familjaren e Malkos.
Leonard Duka është arrestuar në shkurt të këtij viti në Belgjikë.