Një 52-vjeçar që vuante dënimin për drogë në burgun e Fierit ka ndërruar. Simon Toska ka kërkuar ndihmë pasi nuk po ndihej mirë dhe është nisur për t’u dërguar në spital, por rrugës ndërroi jetë.
“Me datë 03.05.2023, rreth orës 12:00 Simon Toska ka referuar për lodhje dhe dobësi trupore. Presioni arterial 100/70 mm Hg, pulsi arterial në normë. Në këto kushte iu vendos një perfuzion, ku më pas referoi që ndjehej mirë dhe në gjendje të stabilizuar, nuk referoi për ankesa klinike.
Më datë 04.05.2023 në orën 03:25 gjatë patrullimit në sektor punonjësi i policisë me shërbim njofton në radio punonjësit e shërbimit shëndetësor në detyrë, se i paraburgosuri Simon Toska ka probleme me frymëmarrjen. Pas njoftimit rreth orës 03:30 infermierët e shërbimit së bashku me grupin e sigurisë shkojnë në dhomën e shtetasit Simon Toska, në godinën e paraburgimit.
Ky shtetas ka referuar për probleme, vështirësi në frymëmarrje, presioni arterial 90/60 mm Hg. Menjëherë i është dhënë ndihma e parë shëndetësore, i është aplikuar medikamenti (1 ampul) prednizolon dhe është rekomanduar të dërgohet në urgjencën e Spitalit Rajonal Fier.
Në orën 03:34 ky shtetas është nisur për në urgjencën e Spitalit Fier, ku edhe gjatë rrugës është asistuar me masazh kardiak. Në urgjencën e Spitalit Rajonal Fier, i është dhënë ndihma mjekësore (goditja me kardio- version), në EKG konstatohet asistoli.
Me gjithë ndihmën mjekësore që i është dhënë këtij shtetasi, mjekët e Spitalit Fier konkluduan se, shtetasi Simon Toska ka bërë exitus letalis (vdekje)” mbyllet njoftimi i drejtorisë së Burgjeve.