I pushtuar nga ethet e fushatës zgjedhore për pushtetin lokal, opinioni publik i vendit duket se paraqitet më indiferent dhe nuk i kushton vëmendjen e duhur kronikës së zezë, e cila paraqet raste të dhunës familjare thuajse përditë.
Diku në medie paraqitet rasti kur një prind dhunon keqas fizikisht një fëmijë dhe përfundon në gjykatë dhe diku tjetër kur një i ri përgatitet të ushtrojë dhunë karshi familjes së ish- bashkëshortes së tij, e cila e kishte braktisur. Në të gjitha rastet e paraqitura, media ka cituar komunikatat policore ndaj dhe duket se Policia ka reaguar menjëherë. Por tashmë është bërë i ditur fakti se rastet e dhunës në familje jo gjithmonë konstatohen dhe aq më pak raportohen.
Po ashtu ende nuk ekziston një mekanizëm, i cili të paraqesë rregullisht në mënyrë periodike një bilanc të caktuar mbi sasinë e dhunës së ushtruar në familje jo vetëm me rastet e raportuara, por edhe me ato eventualisht të ndodhura dhe të mbetura të paraportuara, pra, të evidentuara nëpërmjet sondazheve. Sondazhet duhet të kthehen në një instrument të zakonshëm për të matur pikërisht fenomenet që shqetësojnë shoqërinë në përgjithësi dhe ushtrimin e dhunës në veçanti sepse ato arrijnë më afër rasteve që ndodhin konkretisht në tërësinë e shoqërisë tonë.
Nga ana e tij, legjislacioni shqiptar e parashikon fenomenin, duke e cilësuar viktimë të dhunës atë individ që pëson akte të saj, të shprehura në forma të ndryshme nga ana e individit dhunues. Në këtë kontekst dihet që viktimat janë në më të shumtën dërrmuese të rasteve femrat dhe të miturit. Pra, aktualisht fakti i dhunës në familje nuk është diçka as e re dhe as në periferi të vëmendjes së shoqërisë shqiptare dhe për hir të së vërtetës tolerimi i saj në familje karshi gruas, sa vjen e zvogëlohet.
E megjithatë, ka ende gjëra për të ndryshuar, edhe ato me natyrë ligjore. Duke qenë se në rastin e dhunës në familje, në mënyrë drastike, viktima janë femrat dhe fëmijët, për këta të fundit ende nuk ka një trajtim të plotë qoftë ligjor, qoftë edhe në raport me parandalimin e fenomenit. Thënë me fjalë të tjera, jo vetëm institucionet teknike të fushës nuk i japin rëndësinë e duhur, por edhe vetë legjislacioni paraqet disa kufizime mbi format dhe mënyrat e dhunës që pësojnë të miturit në familje. Shkaqet mund të jenë të ndryshme, por ato me bazë traditën e “ dajakut për edukimin e fëmijës” duket se mbizotërojnë akoma.
Për këtë mjafton t’i hedhësh një sy portalit të Ministrisë së Brendshme, i cili trajton “ dhunën në familje” në të gjithë aspektet e saj, pra, në aspektin ligjor, në atë praktik parandalues si dhe në orientimin e vëmendjes policore, ndërkohë instruksionet jepen më shumë në raport me viktimën “femër” sesa me viktimën “i/e mitur”. Bazuar në Kodin Penal që parashikon dhunën në familje si dhe duke parë praktikat ligjore, të cilat trajtojnë fenomenin në fjalë, duket qartë së tashmë bie në sy një rrugë e shtruar në raport me njohjen e statusit të viktimës, individit të dhunuar. Me fjalë të tjera, gjykatat janë të sensibilizuara për t’i dhënë rëndësi fenomenit.
Kurse nga ana e tyre, psikologët, të cilët dihet që marrin në analizë sjelljen e viktimës së dhunës në familje, kanë dhënë tashmë shenjat e saj në raport me sjelljen e viktimës, me marrëdhëniet që ajo krijon me mjedisin nga i cili rrethohet. Bëhet fjalë për shenja, të cilat flasin njëlloj si ato të trupit në rastet kur dhuna është fizikisht e rëndë dhe e shoqëruar me plagosje apo dëmtime trupore. Nuk mund të lihet pa u përmendur fakti se shenjat e sjelljes që identifikojnë psikologët flasin për një dhunim të gjithanshëm, sistematik dhe jo vetëm me natyrë të egër fizike. Kjo, sepse nëse shenjat e dhunës me dëmtime trupore mund të dëshmojnë për një rast, kurse modifikimet e sjelljes së viktimës flasin për një vazhdimësi të dhunës.
Ndaj dhe identifikimi i tyre përbën një akt tepër të rëndësishëm për përcaktimin e statusit viktimë. Përveç këtij avantazhi, ndryshimet në sjellje bëjnë që të identifikohet një viktimë edhe kur vetë kjo e fundit nuk ka as rrethanat e as mundësinë apo kurajën për të kryer denoncime ligjore karshi dhunuesit. Shenjat për të cilat flasin psikologët janë të lidhura me shëndetin mendor të viktimës, me ndryshimin e personalitetit të saj, me ndryshimin në marrëdhëniet shoqërore. Këto shenja janë thuajse të përbashkëta edhe kur viktima është i/e mitur edhe kur viktima është madhore. Megjithatë, në kuadrin e dhunës në familje, viktimizimi i/e të miturit duket që në këto vite të fundit nuk identifikohet vetëm në rastet kur ai viktimizohet direkt nëpërmjet dhunës që pëson. I mituri ende nuk ka fituar pavarësinë e akteve të tij dhe në këto kushte ka gjithmonë varësi të konsiderueshme nga prindërit.
Një fakt i tillë i ka çuar psikologët në konkluzionin se i/e mituri viktimizohet edhe kur është i pranishëm në aktet e dhunës që një prind ushtron karshi tjetrit në familje. Kjo do të thotë që në rastet e dhunës në familje, i mituri nuk është vetëm dëshmitar, por edhe viktimë. Përse kjo? Edhe më sipër u përmend fakti se kur i mituri është viktimë e një dhune sistematike, ai modifikon sjelljen e tij duke shfaqur disa lloje sjelljesh, të cilat janë të njëjta edhe kur ai nuk është viktimë drejtpërdrejt e dhunës, por viktimë është, të themi si shembull, nëna e tij. Në një rast të tillë ndodh që dhunuesi e nënës të mos i mungojë dashuria për të miturin, e megjithatë i mituri ndihet i dhunuar. Më konkretisht, në rastet kur i/e mituri viktimizohet direkt, shpreh frikë të dukshme karshi dhunuesit. Ndërkohë ai e shpreh të njëjtën sjellje edhe kur sheh që njeri prej dy prindërve të tij dhunohet.
Pra, kur është thjesht dëshmitar. Edhe në këtë situatë, në raport me sjelljen sociale, njëlloj si fëmija i dhunuar direkt, ai shfaq një mungesë interesi të dukshëm për gjithçka që e rrethon për të mos folur këtu për impaktin që ai pëson lidhur me të ardhmen që e pret. Janë ekzaktësisht këta faktorë, të cilët kanë shtytur ligjvënësit e disa vendeve perëndimore që në rastet kur i mituri është i pranishëm në dhunën e ushtruar në familje, gjatë procesit të ndjekjes penale për dhunuesin, nuk duhet të jetë vetëm dëshmitar i dhunës së ushtruar, por edhe viktimë e saj. Një klasifikim i tillë ligjor sjell për rrjedhim të parë që i mituri të merret ligjërisht dy herë në mbrojtje: edhe kur dhunohet direkt, edhe kur është i pranishëm në dhunën në familje. Ky ndryshim padyshim që jo vetëm merr në mbrojtje dy herë të miturin, por edhe rëndon situatën e sjelljes kriminale të dhunuesit duke mos qenë thjesht rrethanë rënduese, siç është praktika gjyqësore në vendin tonë.
Në këto kushte, me aktin e tij, ky i fundit ka shkaktuar dy viktima dhe të dyja me të drejtën për të qenë palë civile të procesit penal. Në kuadrin e matjes së dhunës në përgjithësi dhe të asaj në familje në veçanti, është e dobishme që institucionet kompetente shqiptare të marrin masat si në raport me organizimin e sondazheve të rregullt për të plotësuar të dhënat e policisë apo drejtësisë lidhur me dhunën në familje, edhe të diskutojnë me shoqërinë civilë, mundësinë e ndryshimit ligjor ku i mituri i pranishëm në ushtrimin e dhunës, të marrë statusin viktimë.