Episodin e ri në “Podcast” Edi Rama e spostoi në Sarandë ku i ftuar ishte kandidati për kryetar bashkie në këtë qytet, Olti Çaçi. Biznesmeni foli për projektin e tij. Çaçi tha se e konsideron Sarandën si biznes që duhet të ngrihet nga fillimi.
“E konsideroj si biznes që ka nevojë të ngrihet nga fillimi. Biznesin e këtij komuniteti që të vijnë të gjithë turistët dhe të ndiejnë të gjithë ndryshimin që është i nevojshëm në këtë qytet” tha ai.
Kryeministri kishte kritika edhe me të tijët kur tha se e kanë trajtuar Sarandën më keq se arën e babait. “Saranda ka pasur edhe nga ata që e kanë trajtuar si arën e babait dhe më keq se arën e babait.
Ashtu sikur ka pasur edhe nga ata që kanë bërë sa kanë mundur. Ka një potencial të jashtëzakonshëm.
Kemi bërë shumë, por arsyeja që ne donim një ndërrim stafete, donim që me gjithë respektin për një djalë si Gurma, na duhej një super menaxher që të mos e zërë gjumi, që të mos e lërë gjurmë” tha ai.