Ish-kryeminstri, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me demokratët e Kukësit ku ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 majit, Admir Sinamati.
Gjatë fjalës së tij Berisha hodhi akuza për kryeministrin Edi Rama ku u shpreh se sa erdhi ai në pushtet bëri gjithçka që të mbështesë Vuçiçin. Berisha shtoi se ai i shpalli luftë të ftohtë Kosovës nga Tirana.
“Pra ky ishte një pushtetar antishqiptar. Përveç kësaj, Edi Rama është një vegël, është një argat, vasal i Aleksandër Vuçiç, të cilit po i vjen fundi për krimet që ka kryer dhe mbrapa po i vjen edhe Edi Rama.
Se ai ka Bjellivukun edhe ky ka Bjellivukët e tij. Po. Po. Edi Rama, ju e dini gjatë këtyre viteve në pushtet bëri gjithçka dhe po bën gjithçka që të mbështesë Vuçiçin, i shpalli luftë të ftohtë Kosovës nga Tirana.
Vuçiçin e kam vëlla, këtë e kam kundërshtar. Tjetrin e padiste. Mirëpo këtë mund ta bëjë vetëm një antishqiptar. Ne nuk kemi kundërshtim që të normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë, por në çdo rrethanë dhe në çdo kohë, për ne Kosova është e para dhe nuk ka asnjë lloj dyshimi, ne jemi një komb dhe atë që keni bërë ju, atë që ka bërë Hasi, Tropoja dhe atë që ka bërë mbarë Shqipëria,“ u shpreh Berisha.