Në 10 maj, të mërkurën, pasdite ora 18.00 jam i ftuar nga qendra rinore ARKA, në Shkodër për të prezantuar librin 41 Sekrete. Kudo ku shkoj për të folur për 41 Sekretet, këtë libër që më ka sjellë shumë keqkuptime dhe mërira, në disa raste edhe urrejtje, njerëzit më pyesin nëse ka personazhe nga qytetet e tyre.
Shqipëria është e vogël, por është shumë e madhe për ta futur në një libër kështuqë natyrisht ka plot qytete nga të cilat nuk kam gjetur dot një personazh, ose se nuk kam patur fat, ose se nuk kam patur kohë, ose se nuk kam patur aftësi, ose se nuk jam bindur.
Por nga Shkodra, kam disa personazhe me të cilët kam bërë biseda të mrekullueshme, disa herë të dhimbshme disa herë të thjeshta, disa herë të mbushura me shaka,me trillime, me ngacmime, me sajime, me apo fakte dhe ngjarje historike.
Një nga bisedat e para që kam shkruar për librin, 41 Sekrete, është historia e një amerikani i cili kishte ardhur në Shkodër për të vdekur. E takova rastësisht dhe ai ndaloi kur i thashë se dua ta fotografoj pasi kishte një mjekërr shumë të gjatë dhe një fytyrë shumë të qetë. Unë akoma sot nuk e di nëse ai ka vdekur, është nëse gjallë apo ka ikur nga Shkodra sepse ndoshta vdekja, e cila nuk ka ardhur akoma, ia ka shtyrë planet.
Frederik Ndoci është një tjetër mik që është pjesë e 41 Sekreteve, bashkë me tekat e tij dhe bindjen se botën tonë e drejton një grup i fshehtë njerëzish të cilët quhen Deep State apo Iluminati. Po e rastësishme ishte biseda ime me Sonatën, një vajzë të mbuluar që takova rastësisht në xhaminë e madhe të Shkodrës dhe e cila mezi pranoi të fliste me mua për të më treguar se kishte ardhur të lutej aty.
Shkodrani i fundit që kam përfshirë në 41 Sekrete, është muzikanti i njohur Robert Radoja, nga shtëpia e të cilit në Shkodër në nëntor të vitit 1944 ka ikur gjermani i fundit, me një bicikletë që ia kishte marrë pa leje të atit të atit të Robertit.
Sa herë më pyesin se pse libri ka 41 Sekrete dhe jo 40 apo 42 unë them se 41 ishin të mjaftueshëm. Më shumë do ishin shumë dhe më pak do ishin pak. Por kjo nuk është plotësisht e vërtetë dhe arsyeja lidhet edhe me Shkodrën. Nëse një zonjë shkodrane do kishte pranuar të fotografohej dhe të bisedonte me mua, ndoshta libri 41 Sekrete do kishte 42 Sekrete.
Kjo ishte Terezë Marubi, pasardhësja e fundit e derës së Marubëve e cila me gjithë lutjet e mia të shpeshta nuk pranoi të takohej dhe as të më priste. Më vonë e kuptova se ajo nuk donte të fotografohej duke vuajtur dhe kishte të drejtë. U shua para disa kohësh, e mbyllur në muret e sëmundjes së vet që e mbajti të izoluar, derisa e mori përfundimisht.
Besoj se këto histori, por natyrisht dhe shumë të tjera, do ti tregoj për lexuesit gjatë prezantimit të librit, me shpresën se antarët e ARKËS, do mblidhen për të bërë pyetjet e tyre djegëse sic më kanë thënë se bëjnë zakonisht duke i vënë njerëzit që shkruajnë në vështirësi. Natyrisht bëjnë shumë mirë.
Me këtë rast i ftoj të gjithë ata që kanë interes të vijnë te Arka, të mërkurën, 10 maj, në ora 18.00 dhe meqë në Shkodër kam bërë disa nga shkrepjet e mia të para, po postoj njërën prej tyre me katër gra të gëzuara, të cilat ishin takuar për caj apo ëmbëlsira në një kafene të bukur në qendër të qytetit, ditën kur i fotografova.
Ato qeshën dhe jo vetëm më lanë ti fotografoja pas xhamit ku rrinin por edhe më ftuan për një kafe. Si një fotograf i ri dhe deri diku timid, unë e refuzova atë ftesë sepse nuk jam mësuar të shkoj në kafe me më shumë se një grua. Duke shpresuar se ato nuk janë mërzitur po i ftoj në takimin e të mërkurës, megjithëse nuk i njoh dhe nuk ua di emrat.