Irani ka ekzekutuar edhe shtatë persona në dy burgje jashtë Teheranit, të akuzuar për krime që lidhen me drogën dhe përdhunim, tha një grup i të drejtave të njeriut më 10 maj. Aktivistët e të drejtave të njeriut thanë se Irani në dy javët e fundit kanë varur disa të dënuar.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për numrin “e frikshëm” të lartë të ekzekutimeve në Iran, pasi të hënën autoritetet iraniane njoftuan për ekzekutimin e dy burrave që ishin të dënuar për blasfemi.
Tre persona u ekzekutuan në burgun Gezal Hesari në Karaxh, afër Teheranit, nën akuza për trafikim droge, tha organizata Iran Human Rights, me seli në Norvegji.
Kjo organizatë tha se edhe katër burra u varën në burgun Raxhai Shah në Karaxh. Që të katërt ishin të dënuar për përdhunim.
Ueb-faqja e gjyqësorit, Mizan, konfirmoi ekzekutimin e tre persona të dënuar për vepra që lidhen me drogë, duke theksuar se të dënuarit ishin pjesë e një karteli që shpërndante kokainë. Ende nuk ka konfirmim zyrtar për katër të ekzekutuarit, që ishin të dënuar për përdhunim.
Sipas Iran Human Rights, në 12 ditët e fundit, në Iran janë ekzekutuar 64 persona.
“Makina vrasëse e Qeverisë po përshpejtohet. Qëllimi i saj është të frikësojë popullin dhe viktimat e saj janë pjesa më e dobët e shoqërisë”, tha drejtori i kësaj organizate, Mahmood Amiry Moghaddam.
Vitin e kaluar, në Iran u ekzekutuan të paktën 582 persona, që paraqet numrin më të lartë të ekzekutimeve që nga viti 2015, kanë raportuar organizatat joqeveritare./rel