Zyrtarët në Ekuador kanë njoftuar se lideri i bandës “Los Choneros”, që ishte prapa trazirave vdekjeprurëse në burgjet e këtij shteti, është vrarë në një lagje në Kolumbi, raporton BBC. Trupi i gjetur në një pyll në provincën Antioquia është identifikuar si ai i Junior Roldanit.
Ai iku në Kolumbi pasi u lëndua u plagos në vendlindje. Roldan ishte liruar nga burgu në shkurt. Trupi i tij, që kishte plagë arme në kokë, u gjet të shtunën.
Kryetari i Fredonias, qytet në Kolumbi ku u gjet trupi, ka thënë se dyshohet se Roldan është vrarë diku tjetër dhe trupi i tij u hodh aty. Ai thotë se asnjë prej banorëve lokalë nuk u kujtohet se e kanë parë atë.
Ministri i Brendshëm i Ekuadorit ka thënë se ekspertët e forenzikës kanë qenë në gjendje ta identifikojnë trupin e Roldanit nëpërmjet tatuazheve që kishte dhe shenjave tjera në trup. Roldan ishte në arrati, pasi kishte hequr nga kyçi pajisjen elektronike që i ishte vendosur pasi ishte liruar nga burgu.
Lideri i bandës kaloi në Kolumbi pasi ishte qëlluar dhe plagosur në mars nga anëtarët e bandës rivale Los Lobos. Ai po ashtu i mbijetoi një sulmi tjetër që ishte bërë me një dron të mbushur me eksploziv në burgun ku kishte qenë duke vuajtur dënimin.
Përkundër historive të tentimeve të vrasjeve, komandanti i Policisë së Ekuadorit, gjenerali Fausto Salinas, thotë se raportet e inteligjencës sugjerojnë se vrasja e tij nuk ishte si pjesë e luftës mes bandave rivale. Salinas nuk ka dhënë detaje se kush e ka vrarë apo pse. Policia ka thënë se vrasja e Roldanit është një goditje për bandën Los Choneros.